Menu

ULPIANA FEST, u mbajt më 16 dhe 17 shtator 2023, në parkun arkeologjik të Ulpianës, duke shfaqur copëza të antikitetit dardan e romak. Përmes rikonstruktimit të lojërave, recetave të hajeve dhe veshjeve antike, përmes shfaqjes së monedhave antike, valleve, muzikës, poçarisë dhe elementeve të tjera, u dha një skenë e antikitetit të Ulpianës e Dardanisë antike.

Në natën e parë, në ora 18.00, filloi programi i festivalit, ku pati edhe disa elemente specifike. Programi  u përshëndet nga organizatorët, Rilinda Gjonbalaj dhe Ilir Culaj.

Rilinda Gjonbalaj tha “Ulpiana sot është nikoqire e edicionit të parë të këtij festivali e që shpresoj se do të kthehet në një traditë të gjatë për të promovuar e vënë në pah trashëgiminë kulturore. Po ashtu, ajo tha, më lejoni që të shpreh falënderimet dhe mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre që ky festival të realizohet, duke mos e kursyer aspak veten e tyre dhe për këtë më meritorët janë profesorët e çmuar të Departamentit të Antropologjisë prof. Arsim Canolli, prof. Tahir Latifi dhe gjithë të tjerët, që me profesionalizmin e tyre i dhanë ngjyra shumë më të mira këtij organizimi.”

Duke evokuar jetën sociale të dardanëve dhe romakëve, Ilir Culaj tha: “Të mendojmë për një moment se – kushedi sa festa, gëzime, vuajtje apo tragjedi kanë ndodhur brenda mureve antike të këtij qyteti, ku ne jemi sonte. Kushedi se çfarë shfaqje kane interpretuar aktoret në teatrin e Ulpianës dhe, sa shumë publiku i duartrokiste ata dikur. Prandaj sonte, në këtë dite te shenjtë për Ulpianën, jemi munduar t’i rikujtojmë banorët e këtij qyteti dhe përditshmërinë e tyre. Pse jo, të flasim për djathin dardan, të cilin e përmend autori romak Varroni, në volumin e dyte të librit te tij mbi agrikulturën. Apo, të kujtojmë një pasazh të Strabonit, i cili duke folur për dardanët dhe muzikën, ndër të tjera thotë: “muzikën nuk e lënë mënjanë, por përkundrazi përdorin gjithmonë fyej e vegla me kordha. Autorët tjerë na shpjegojnë për pijet prej mjalti tek ilirët apo birrën e tyre që e quanin sabaium apo sabaia.”

U dhanë mirënjohje për tre udhëheqësit e projektit arkeologjik të Ulpianës, prof. Arben Hajdarin, Prof. Christophe Goddard dhe doktorantin Milot Berisha. Mirënjohjet i ndanë pjesëmarrësit e nderit, ambasadori amerikan, z. Jeff Hovenier, ambasadori francez, z. Olivier Guérot  dhe zëvendës përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, znj. Eva Palatova. Mirënjohjet u dhanë për “punën konsistente shumëvjeçare në gërmimin arkeologjik në Ulpianë, avancimin e edukimit arkeologjik për gjeneratat e reja, bashkëpunimin e frytshëm arkeologjik ndërkombëtar dhe kujdesin dhe profesionalizmin për arkeologjinë në komunitet dhe për publikun”.

Programi vazhdoi me këngë e valle të vjetra, nga grupi i Lezhës së Shqipërisë, ku u shqua rikonstruktimi i gjamës së burrave. Po ashtu, programi vazhdoi me premierën e dramës “Justiniani dhe Teodora”, e cila u luajt në ambient të hapur, para mureve të qytetit antik, në prani të një numri të madh pjesëmarrësish. Teksti i dramës është shkruar prof. Arian Krasniqi, me regji të Kushtrim Mehmetit e në aktrim të studentëve të Fakultetit të Arteve, Universiteti të Prishtinës.

Në ditën e dytë, prej orë 13.00, festivali filloi të vizitohet nga një numër i madh vizitorësh, kryesisht familjarë me fëmijët e tyre, por edhe vizitorë enkas nga fusha e trashëgimisë kulturore. U luajtën lojëra, u pikturuan pamjet e Ulpianës, u demonstrua poçaria. Në ora 18.00, filloi shfaqja e programit me ansamblin e Çegranit të Maqedonisë së Veriut, ku u veçua riti i thirrjes së bletës, një rit i vjetër pagan. Pastaj, një numër studentësh të veshur me kostume antike, dardane e romake, por edhe me kostume të cilat kanë mbijetuar që nga lashtësia, si xhubleta e Malësisë, veshja e grave të Hasit dhe Anamedvegjës (Gollakut) e veshje të tjera. U dha edhe repriza e shfaqjes teatrale “Justiniani e Teodora”, në prani të një numri të madh pjesëmarrësish, përfshirë kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ministrin e kulturës, z. Hajrulla Çeku, ministren e industrisë, znj. Rozeta Hajdari, deputetë, studiues, studentë, afaristë etj.

Festivali është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe një numër sponsoresh: Sirus Wine, Ujë Rugove, Tegel atelie, Birra Sabaja, Sentona Wine.

Falënderojmë organizatorët, studentët, profesorët, profesionistët, përkrahësit dhe sponsorët, afaristët dhe të gjithë pjesëmarrësit e këtij festivali.

Shihemi në edicionin e dytë, në shtator 2024!

Në këtë link, mund të shihni një përmbledhje të shkurtër të Ulpiana Fest, https://www.youtube.com/watch?si=9usVoeHR6ZYQoqvN..

ulpiana